Paketa zyre alternative – Microsoft Office nuk është e vetmja zgjedhje

Facebook
Twitter
LinkedIn

Si mësues kalojmë shumë kohë në përgatitjen e materialeve mësimore dhe për këtë ne mbështetemi te përdorimi i programe të ndryshme, kryesisht në Word, Powerpoint dhe Excel. Kur përmendim këto programe i referohemi Microsoft Word, Microsoft Powerpoint dhe Microsoft Excel, pjesë e paketës zyrë Microsoft Office (Ms Office). Në këtë artikull do të përqendrohem vetëm në programin e shkrimit dhe paketat zyrë alternative ndaj Ms Office.

Për të dhënë një mendim më konkret kam krijuar në Ms Word 2016 një dokument, të cilin më pas e kam hapur në të gjitha paketat alternative për të parë nivelin e përputhshmërisë të këtyre paketave.

A është Microsoft Office e vetmja alternativë?

Jo. Por nqs unë e kam Microsoft Office të instaluar pse më duhet një program tjetër i ngjashëm?

Ja disa arsye:

Microsoft Office 2019 Home & Student $149 (foto e faqes së Microsoft)
Microsoft Office 2019 Professional $439(foto e faqes së Microsoft)
  • Liçenca e paketës Microsoft Office ka skaduar dhe nuk keni mundësi të rinovoni liçencën ose nuk doni të rinovoni liçencën, pasi kjo kërkon të paguani çmimin e liçencës (duke filluar nga 150 dollarë amerikanë)
  • Koha provë prej 30 ditësh e paketës ka mbaruar
  • Keni formatuar kompjuterin dhe ju duhet të instaloni përsëri paketën Office, por përballeni pastaj me dy pikat e mësipërme.
  • Kompjuteri juaj është disi i vjetër dhe nuk mund të instaloni një version të përditësuar të paketës Office ose kompjuteri nuk e përballon dot instalimin e Ms Office.

Cilat janë alternativat

Paketa zyrë alternative mund ti keni offline – pra ti instaloni në kompjuterin tuaj ose online – i përdorni nga browser-i përmes internetit.

Office 365 (versioni falas)

Pamje nga Ms Office 365 – Word
Pamje nga Ms Office 365 – Outlook – menuja e aplikacioneve

Nëse ke një llogari Microsoft emaili @hotmail.com, @live.com apo @outlook.com mund të përdorësh versionin online falas të Microsoft Office 365. Nga menuja e aplikacioneve, mund të kaloni nga emaili – Outlook në Word. Dokumentat krijohen dhe ruhen online në OneDrive.

Pamje nga Ms Office 365 – OneDrive

OneDrive është një hapsirë prej 5GB ku mund të ruani dokumenta që krijoni dhe attachments nga emaili. Gjithashtu mund të ngarkoni dokumenta të ndryshëm, foto, video dhe çfarëdo lloj dokumenti elektronik që krijoni.

Versioni online i Ms Office 365 (falas) është disi më i kufizuar nga versioni offline, por ka mjetet bazë për të krijuar dhe modifikuar dokumenta online. Duket qartë që dokumenti i krijuar offline me Ms Word 2016 nuk shfaqet njësoj në versionin online, psh. formatimi i tekstit në kolona, disa elemente mbeten të pamodifikueshme, etj. Pra mund të them që nuk ka nivel të lartë përpushmërie. Kjo lidhet me faktin se versionet e plota online të Ms Office 365 (versioni premium) ofrohen me pagesë.

Pamje nga Ms Office 365 – Word
Dokument i krijuar me Word 2016 dhe i hapur në Ms Office 365
Pamje nga Ms Office 365 – Word
Dokument i krijuar me Word 2016 dhe i hapur në Ms Office 365

Gjithësesi, është një alternative e cila mund të plotësojë nevojat themelore për një paketë zyre. Fakti që është online, ju mundëson të ruani dhe të keni qasje te dokumentat tuaj në çdo moment, nga thuajse çdo pajisje dhe ti përpunoni ato.

Google Docs, Google Sheets, Google Slides

Pamje nga Google Docs
Dokument i krijuar me Word 2016 dhe i hapur në Google Docs

Në të njëjtën mënyrë si Ms Office 365 online, Google ofron produktet Google Docs (për Word), Google Sheets (për Excel) dhe Google Slides (për Powerpoint). Të gjitha këto ofrohen falas nqs ke një adresë email @gmail.com.

Ajo që më bëri shumë përshtypje është se Google Docs ofron më shumë opsione se Ms Office 365 (versioni falas). Biles mund të them se përputhshmëria e Google Docs mbi dokumentin e krijuar në Ms Word 2016 është shumë e madhe, gjë që e bën Google Docs një alternativë shumë të pëlqyeshme.

Google Docs ju mundëson të krijoni dhe të ruani dokumentat online në Google Drive – një hapsirë prej 15 GB. Kini parasysh që kjo hapsirë është e shfrytëzuar dhe nga aplikacione të tjera, si Google Photos, Google Mail (attachments).

LibreOffice

Pamje nga LibreOffice – Writer
Dokument i krijuar me Word 2016 dhe i hapur në LibreOffice – Writer

LibreOffice është një paketë zyre opensource (me burim kodi të hapur) e cila ofron Writer (për Word), Calc (për Excel) dhe Impress (për Powerpoint). Edhe LibreOffice ka një nivel të lartë përputhshmërie me Ms Word, gjë që pasqyrohet edhe kur hapim në Writer dokumentin e krijuar në Ms Word 2016. LibreOffice është një ndër paketat zyrë që ofrohet në sistemet e operimit Linux, por ka gjetur përdorim edhe në kompjuterat me sisteme Windows dhe MacOS.

Emri: LibreOffice
Website: https://www.libreoffice.org/
Sistemi operimit: Windows, MacOS, Linux, iOS, Android

FreeOffice

Pamje nga SoftMaker – TextMaker (versioni falas)
Dokument i krijuar me Word 2016 dhe i hapur në SoftMaker – TextMaker

FreeOffice është versioni falas disi i kufizuar në mjete i paketës zyrë SoftMaker Office. Niveli i përputhshmërisë është i mirë, por sërisht gjenden elemente që nuk shfaqen si në versionin origjinal të dokumentit. Psh. objekti equacion (ekuacioni) trajtohet si një foto/imazh por nuk mund të përpunohet, për më tepër nuk ka ndonjë opsion për ta rishkruar.

Emri: FreeOffice
Website: https://www.freeoffice.com/
Sistemi operimit: Windows, MacOS, Linux

OnlyOffice

Pamje nga OnlyOffice – Document
Dokument i krijuar me Word 2016 dhe i hapur në OnlyOffice – Document

OnlyOffice është një tjetër alternativë opensource e cila duket se ka një nivel goxha të mirë përputhshmërie me Ms Word. Ndërfaqja e programit ka goxha ngjashmëri me Ms Word, gjë që e bën përdoruesin të ndihet mirë pasi pamja është e njohur për të.

Emri: OnlyOffice
Website: https://www.onlyoffice.com/
Sistemi operimit: Windows, MacOS, Linux, iOS, Android

WPS Office

Pamje nga WPS Office – Writer
Dokument i krijuar me Word 2016 dhe i hapur në WPS Office – Writer

WPS Office është një paketë zyre e cila mburret se konkuron Ms Office si alternativë të paktën në tre programet bazë: Writer (për Word), Presentation (për Powerpoint) dhe Spreadsheet (për Excel). Personalisht kam patur një përvojë pozitive aq sa shpesh ua kam këshilluar njerëzve kur nuk mund të instalonin dot Ms Office. Edhe nga fotopamja e dokumentit duket qartë që WPS Office ka nivelin më të lartë të përputhshmërisë me Ms Office. Ndërfaqja grafike e WPS Office – Writer është e ngjashme me Ms Office – Word, duke u ofruar përdoruesve një pamje të njohur.

Emri: WPS Office
Website: https://www.wps.com
Sistemi operimit: Windows, MacOS, Linux, iOS, Android

Në përfundim

Pas një krahasimi dhe duke parë nivelin e përputhshmërisë të paketave zyrë që ju prezantova, nga versionet online do të preferoja Google Docs, Sheets, Slides, ndërsa nga versionet offline do të zgjidhja WPS Office.

Nqs ju keni alternativa të tjera që nuk janë përmendur këtu apo doni të ndani mendimin tuaj në lidhje me alternativat e përmendura në këta artikull, ju lutem komentoni në fund.

Lexo më tej

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *